Nga Shqipëria / E Mërkurë 16 Nëntor 2022, 23:11

'Të flenë rehat të gjithë, nuk e quaj veten shkrimtar', Ermal Mamaqi vendos pikat mbi 'i' pas komenteve për librin

Ermal Mamaqi ishte së fundmi i ftuar në emisionin "Pardon My French" ku tregoi më shumë rreth librit të tij "Në garë me veten". Fillimisht ai tregoi se si e ka shkruar.

"Është një libër i shkruar me një gjuhë shumë të thjeshtë. Unë shkëputem, kemi një shtëpi në plazh dhe rri vetëm. Në ditët me shi sidomos, shpërthen edhe ideja. Është një libër ku ti duhet të kuptosh çështjet, më saktë aty ka një vend bosh ku ti mund të shkruash, të plotësosh pyetjet dhe t’i japësh përgjigje. Është një zgjatim i asaj që unë po bëj në vite tashmë. Aty kam përmbledhur eksperiencat e mia jetësore, unë kam ndryshuar shumë profile dhe kishte ardhur pikërisht momenti që t’i përmblidhja në një formë mësimi. Kam 12 vite që studioj dhe trajnohem për këtë", u shpreh Ermali.

"A do të quhet shkimtar tani Ermal Mamaqi?", ishte një pyetje që iu drejtua më tej producentit. "Jo, nuk e quaj veten shkrimtar. Të flenë rehat të gjithë këta që hanë bukë me këtë gjënë. Nuk do t’i pengoj asnjërit të fitojë çmimin Nobel", u përgjigj ai.

"Pse komentohet libri dhe pse po merren kaq shumë?", ishte një pyetje tjetër.

Ermali: Të them të vërtetën, mund të jap një shpjegim shumë të thjeshtë. Këta merren sepse unë jam një njeri i mrekullueshëm, jam një gjeni dhe një njeri i shkëlqyeshëm.

Producenti tregoi se komentet e njerëzve nuk e mërzisin sepse i bëjnë marketing falas.

"Përkundrazi, është argëtues fakti që njerëzit komentojnë në këtë formë. Madje unë shpesh herë i nxjerr edhe pasqyrën dhe jua tregoj përballë që të shikohen dhe të bllokohen. Gjithmonë ndodh kundërshtia në fillim dhe pastaj përfundon me duartrokitje dhe dashuri. Është i njëjti skenar, unë dhe ekipi im i marketingut jemi shumë të lumtur sepse populli shqiptar më lejon mua që të bëj marketing falas gjithmonë dhe unë nuk paguaj asnjë lek. Çdo person në planet e di që unë kam shkruajtur një libër sot", u shpreh ai.