Nga Shqipëria / E Shtunë 12 Nëntor 2022, 16:04

Festivali i Këngës/ Këngëtari shqiptar: Më pëlqen më shumë kënga e kolegut sesa e imja

Dy anëtarët e ish grupit Produkt 28, Alban Kondi dhe Fabian Basha do të konkurrojnë këtë vit në festivalin e Këngës në RTSH, por jo bashkë. Albani do të vijë në bashkëpunim me Loree, këngëtare të cilën e menaxhon vetë ndërsa Fabiani i vetëm pas 10 vitesh mungesë.

I ftuar sot në emisionin “Ditë pas dite” Alban Kondi u shpreh se i pëlqen më shumë kënga e Fabianit.

“Të jem i sinqertë mua më pëlqen më shumë kënga e Fabit se sa kënga ime”, ka thënë Albani. Duke folur për bashkëpunimin me Loree ai tha se kënga “Melodi” flet për një histori dashurie që ka përfunduar por që s’ka lot në fund të saj, pasi jo çdo fund duhet të konsiderohet i trishtë.

Albani tregoi se ka përfunduar edhe albumin e tij, i cili përmban 10 këngë ku njëra prej të cilave bënte bashkë edhe njëherë grupin e tyre Produkt 28.