Ermal Mamaqi i ka kthyer sot përgjigje Flavio Qarrit, pas komenteve të këtij të fundit për librin “Në garë me veten”, teksa të dy ishin të ftuar në “Shqipëria live”.
I ftuar në “Natën me Aulonën”, Flavio u shpreh ndër të tjera kështu: “Ermal Mamaqi e shumë të tjerë nuk kanë shitur asgjë, nuk ka prodhuar asgjë, flasin vetëm për moral dhe çfarë? Moral të shesësh cigare, patatina e pije me gaz? Ka shumë shqiptarë të tjerë të suksesshëm dhe nuk marrim mundimin t’i tregojnë askujt se si të jetojnë jetën e tyre….”.
Deklarata e tij u risoll në vëmendje gjatë “Shqipëria live” dhe Ermali e zuri ngushtë Flavion duke e pyetur: "Dua të pyes Flavion meqë është aty, meqë dhe njihemi prej vitesh, vërtet mendon që s’kam prodhuar asgjë dhe s’kam asnjë vlerë për ta ndarë me njerëzit?", i tha Ermali.

“Sigurisht që ke bërë dhe ke prodhuar përderisa je aq i njohur dhe do doja të kishe më shumë suskes si person publik. Por këto pjesët sesi jetohet ishin objeksioni im”, u përgjigj Flavio.
“Në garë me veten” është një libër motivues që nxit lexuesin të bëhet versioni më i mirë i vetes e në të Ermali ka ndarë eksperiencat personale nga jeta e tij. Libri ka thyer dhe rekord pasi 1500 kopje të tij janë shitur ende pa dalë nga shtypshkronja.
