Nga Shqipëria / E Premte 5 Janar 2018, 12:12

Angela Martini rrëfen dasmën e saj pa plan: ‘U zgjuam një mëngjes dhe thamë ‘le të martohemi’

Modelja e njohur me origjinë shqiptare Angela Martini i habiti të gjithë para disa javësh kur lajmëroi se ishte martuar me të dashurin e saj rumun Dragos në një ceremoni private në Las Vegas. Ajo ka rrëfyer së fundmi se në fakt asgjë nuk ishte e planifikuar dhe se gjithçka mes tyre ndodhi spontanisht duke filluar që nga dasma e deri tek fustani i saj i zi që tërhoqi shumë vëmendjen.

“Nuk ishte e planifikuar, në fakt u vendos në momentin e fundit. Ne as nuk u fejuam më parë. Ishim në LA dhe një nga miqtë tanë na ftoi të shkojmë në Vegas. Unë dhe Dragos ramë dakort dhe në mëngjes ditën përpara se të niseshim për në Vegas, u zgjuam pranë njëri-tjetrit dhe duke u parë në sy thamë le të martohemi. Filloi si një shaka”- është shprehur Angela, duke treguar se kjo shaka pak më vonë u kthye në diçka serioze, që shënoi edhe ditën e  tyre më të lumtur.

“Nuk njoftuam prindërit, miqtë, askënd. Nuk kisha as unazë, as fustan asgjë. Dhe të gjitha këto i gjetëm ditën tjetër në vetëm një ditë. Dragos u zgjua dhe të dy filluam të kërkojmë për një altar dhe zgjodhëm më të voglin. Ceremoninë vendosëm ta bëjmë në mesnatë.”- sipas saj ata zgjodhën mesnatën pasi është momenti më romantik, ku dhe hëna është e plotë, fiks si nëpër filmat romantik.

Ndërsa për fustanin e zi që  Angela veshi në ceremoninë e martesës u shprehë se në fakt ai fustan ishte ideja e bashkëshortit pasi ata nuk po gjenin dot një fustan të përshtatshëm.

“Po, ishte ideja e tij. Ai më tha mos u shqetëso unë do të gjej çdo gjë. Ai erdhi dhe më tha di tre dyqane, bëri zgjidhjen dhe unë isha duke parë fustanin dhe i thashë “Nuk mund të martohem kështu”. Ai më tha ky fustan është unik, është ndryshe nga të tjerët dhe ti kështu duhet të vishesh.”- është shprehur ajo.