Ngjarja shokuese në Pejë ku një e moshuar u dhunua nga punonjësja e azilit ku qëndronte, teksa të tjerat filmonin dhe qeshnin, ka bërë zhurmë të madhe jo vetëm në mediat e vendit, por dhe në ato ndërkombëtare.
Prestigjozja britanike, "Daily Mail" ka shkruar një artikull në lidhje me rastin e rëndë me titull: Momenti shokues: E moshuara rrihet vazhdimisht nga infermierja në një azil në Kosovë.
"Ky është momenti shokues kur e moshuara rrihet nga infermierja në një azil në Kosovë. Në pamjet e shpërndara në rrjete sociale, punonjësja e shtëpisë së të moshuarve "Orenda" në Pejë, mban duart e të moshuarës dhe e godet disa herë me shuplakë. Në video shihen dy gra të tjera dhe ajo që është duke filmuar dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon të moshuarën. Pas ngjarjes, infermierja dhe një punonjëse e shtëpisë u arrestuan. Punonjësja e shtëpisë u arrestua pasi nuk e kishte raportuar sulmin në polici", shkruhet brenda artikullit.
