Në natën e ndërrimit të viteve një lajm që trishtoi të gjithë shqiptarët ishte edhe vdekja e një 16-vjeçarit nga Laçi, i cili u gjend i vrarë me një plumb qorr në kokë në tarracën e tij në momentin e hedhjes së fishekzjarrëve.

Ai kishte hipur në mesnatë në tarracë për të parë spektaklin e fishekzjarrëve por më vonë familjarët e tij e kanë gjetur të vdekur pasi ishte goditur me një plumb në kokë.
Sipas autoriteteve ditën e sotme janë arrestuar tre kushërinj nga Kurbini dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohen se janë shkaktarët e vdekjes së të riut.

Ata kishin zgjedhur që atë natë të argëtoheshin me një mënyrë ndryshe duke qëlluar me armë zjarri. Më pas tre kushërinjtë e kanë postuar këtë video në rrjetet sociale ku dhe janë identifikuar nga policia nëpërmjet saj.
Sipas policisë ata kanë qëlluar me armë rreth orës 01:30 të 1 janarit të vitit 2018, moment i cili përkon edhe me vrasjen e 16-vjeçarit, i cili kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të parë spektaklin e fishekzjarrëve.
