Nga Shqipëria / E Shtunë 30 Dhjetor 2017, 14:02

Fshati i shkretë në Shqipëri ku jetojnë vetëm 3 familje

Lëvizja e njerëzve nga zonat rurale në ato urbane të Shqipërisë ka bërë që shumë zona të vendit tonë kryesisht fshatrat të kthehet në vende të braktisura, ku gjen një numër të vogël banorësh.

Ky rast ka ndodhur edhe në një fshat në zonën e Gramshit, i cili quhet Ulova dhe ndodhet 20 km larg këtij qyteti, dhe  është i banuar vetëm nga 3 familje të cilat shprehen se dikur fshati i tyre kishte mbi 47 të tilla.

Para viteve ’90 ky ka qenë një nga fshatrat që ka pasur më shumë prodhime rrushi, molle, rakie e shumë produkte të tjera, por për shkak të mungesës së madhe të nevojave bazë si shkollimi, uji, dritat, shëndetësia etj, shumë familje vendosën që ta braktisin Ulovën duke ju drejtuar Tiranës për një jetë më të mirë.

Të gjithë njerëzit e këtij fshati kanë qenë pjesëtar të një fisi dhe mbiemri i tyre është Rrodhe, dhe 3 familjet që ndodhen ende aty shprehen se vështirësia e tyre më e madhe është mungesa e një mjeku. Pasi nëse dikush nga ata sëmuret është shumë i vështirë transportimi i tyre deri në spitalin më të afërt.