Nga Shqipëria / E Mërkurë 5 Tetor 2022, 12:12

Pedagogët në protestë, Rama iu premton rritje rroge, por shumë larg nga kërkesat e tyre

Ditën e sotme pedagogët kanë nisur protestën e paralajmëruar për rritjen e pagave. Protesta po mbahet përballë Universitetit Politeknik në kryeqytetet. Ato kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë dhe procesin mësimor nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka reaguar menjëherë nga Universiteti Bujqësor. Ai ka pranuar një rritje prej 7%, por shumë larg nga kërkesat e pedagogëve, të cilët kanë kërkuar rritje rroge me 30%.

“Atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre dhe që kërkojnë rritje pagash në emër të të gjithë pedagogëve, ju them se nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi e as mësues 9 vjeçareje. Nuk jeni as mjekë e as infermirë në shërbimin shëndetësor public. Nuk jeni as policë, as ushtarak e as nëpunës civilë. Nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë fiks. Ndërkohë, pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme midis mbështetjes së shtetit dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ja bën vetes rrogën edhe rrogën dyfish, trefish, edhe katër edhe pesë. Me fondet e tjera, janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet europiane janë edhe fondet e universiteteve të tjera private. Por këtu ka një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht”, është shprehur kryeministri.