Nga Shqipëria / E Premte 30 Shtator 2022, 20:08

Rama jep lajmin e mirë për energjinë: Anulohet fasha 800 kw/h

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të premte se qeveria ka vendosur të anulojë hyrjen në fuqi të vendimit që parashikonte se duke nisur nga 1 Tetori e gjithë sasia e energjisë mbi fashën 800 kilovat/orë të paguhej me çmimin 42 Lekë për kilovat/orë.

"Bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 kwh të mos hyjë në fuqi në muajin Tetor.

Në 1 Shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kilovat, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17,000 kilovat/orë, sot është rreth 11,000 kilovat/orë. Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të 10-ditëshit të parë të Tetorit”, është shprehur ai.