Ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është miratuar një akt i ri. Të gjitha ndërtesat pa leje do të konfiskohen për përdorim publik dhe do t’i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projekte publike.
VKM e titulluar “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi" u bë publik ditën e sotme nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
"Në aktet që janë miratuar sot, vlen të bëhet publik një akt i rëndësishëm. Akti ka të bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje në Shqipëri ose siç ka të bëjë me një trend të ndërtimit të shtesave mbi lejen e dhënë. Ky lloj trendi ka një lloj sjellje që pavarësisht se leja ka 7 kate i bëjmë dhe 3 kate për t’i legalizuar më pak. Kjo nuk do të lejohet më. Të gjitha këto ndërtesa të cilat kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik. Do t’i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projektet publike. I gjithë ky proces është një proces i gjatë i bazuar në ligj, që ka për qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që të shkelin ligjin. Për çdo ndërtesë që rezulton se ka shkelur lejen ose çdo ndërtesë të ndërtuar pa leje do te këtë edhe një investigim për institucionet që kanë pasur për detyrë kontrollin e territorit. Nuk do të ketë tolerancë për asnjë nga ndërtuesit që kanë ndërtuar pa leje. Gjithçka që është ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit", është shprehur Balluku.
Burimi: Abc News
