Ka disa ditë që po qarkullojnë lajme se gazetari Sokol Balla do të largohet nga Top Channel dhe duket se këto lajme nuk mbetën vetëm në kuadrin e thashethemeve, pasi sipas informacioneve të fundit ai do të largohet nga drejtimi i ‘Top Storyt’ dhe vendin e tij do e zërë një tjetër gazetar.

Gjithçka filloi kur Sokol Balla u shkarkua nga roli i drejtorit të informacionit dhe në vendin e tij u vendos gazetari Endri Xhafo. Gjithashtu u pa se ai para disa ditësh ishte në televizionin Vizion Plus, ku dhe u përfol se Balla kishte biseduar me drejtuesit.

Shkaku i largimit të tij sipas ‘Dritare.net’ ishte emisioni që ai kishte realizuar me Saimir Tahirin në shtëpinë e tij, ku u tha se emisioni u prit keq për shkak të mënyrës sesi ishte ndërtuar.

Por menjëherë pas lajmit të largimit të gazetarit të njohur nga emisioni ‘Top Story’, Dritare.net shkruan se Top Channel ka gjetur edhe zëvendësuesin e tij. Endri Xhafo do të jetë moderator i ri i këtij emisioni.

Thuhet se daljen e tij të parë do ta ketë në Janar , ndërsa për Sokol Ballën ende nuk dihet se në çfarë televizioni do ta shohim.



