Ka humbur jetën pas një sulmi me thikë reperi TKorStretch, emri i vërtetë i të cilit është Takayo Nembhard. 21-vjeçari u godit me thikë në Notting Hill Carnival rreth orës 20:00 të hënën. Policisë iu desh ta nxirrte reperin nga mesi i një turme të madhe njerëzish që e kishin rrethur dhe t’i ofronin ndihmën e parë.

BBC shkruan se ai humbi jetën në një spital në Londrën perëndimore, duke mos i mbijetuar dot plagëve të shkaktuara nga thika.

Menaxheri i tij, Chris Patrick, tha se reperi shpejt do të bëhej baba, pasi e dashura e tij është shtatzanë.

“Ishte një njeri vërtet i mirë dhe i respektueshëm, kalonte shumë kohë në Londër, por jetonte me prindërit e tij në Bristol. Ai më parë kishte qenë një futbollist gjysmë-profesionist derisa u lëndua”, shtoi Patrick.

“Ai ishte i talentuar në shumë fusha, kështu që kur mbaroi futbollin, u mor edhe me muzikë. Unë isha menaxheri i tij për më shumë se dy vjet. Punoi jashtëzakonisht shumë dhe u përpoq të bënte atë që është e drejtë për veten dhe fëmijën e tij që do të vijë së shpejti në jetë Familja e tij është e shkatërruar”, përfundoi menaxheri.
TKorStretch kishte gati 11000 dëgjues mujor në Spotify. Një nga këngët e tij kishte grumbulluar më shumë se 300 000 shikime.
Pas ngjarjes, e dashura shtatzënë e reperit ka publikuar disa foto duke shprehur dhimbjen që po kalon.

"Takayo i bukuri im, gjithçka që mund të pyes është pse pa pushim. Ti ishe personi më i sjellshëm, i dashur, gazmor dhe i kujdesshëm. Jam ulur këtu me sy të enjtur dhe zemrën e lënduar ndërsa kam qarë vazhdimisht për 12 orët e fundit teksa mbaj djalin tënd të palindur. Do ta kujtoj çdo ditë se sa i mrekullueshëm ke qenë si djalë, vëlla, i dashur dhe shok gjithashtu!
Dashuria që kam për ty nuk do të ndalet kurrë dhe emrin tënd do ta nderoj çdo ditë. Unë do të kujdesem për motrat e tua me aq sa mundem. Ato të donin shumë. Të gjithë të donim. Të mbaja dorën dje për herë të fundit ndërsa ti ishe aty pa jetë dhe foshnja më goditi menjëherë. Nuk është e drejtë, ne jetojmë në një botë kaq mizore. Jam shumë e zemëruar, por vazhdoj të më thonë se duhet të qëndroj e fortë për fëmijën. Mbështetja që keni pasur në spital dje nga familja dhe miqtë ishte shumë e bukur. Do të doja vetëm ta dije se sa të donin vërtet. Të dua me gjithë zemër dhe jam shumë e lumtur që mund të ndaj diçka kaq të veçantë me ty dhe e di që do të të shoh çdo ditë tek ai", ka shkruar e dashura e reperit të ndjerë.


