Ditën e sotme në rubrikën ‘Ka një mesazh për ty’ ishte i ftuar një djalë i ri nga Berati i quajtur Nertil, i cili kishte ardhur në emision për ti dhënë një mesazh bashkëshortes së tij që është 11 vite më e madhe se ai në moshë. Ai dhe bashkëshortja e tij Dafina u njohën nëpërmjet Facebook-ut ku për një kohë të gjatë shkëmbenin mesazhe me njëri-tjetrin deri sa më në fund u takuan edhe live.

"U takuam tek Pallati me shigjeta, afër punës së saj. Pimë një kafe dhe më pas iku sepse ishte bërë vonë. Pasi pimë kafen u kënaqa shumë dhe i thashë që vij prapë nga Greqia. Për 8 mars mora një buqetë me lule dhe i telefonova. U takuam tek 21-shi dhe i propozova martesë. Kemi 9 muaj të martuar", tregoi Nertili.

Ai e kishte ftuar bashkëshorten e tij për ti thënë se për të nuk ka rëndësi diferenca e moshës dhe se ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë si Nertili, të mos shqetësohet për atë që të tjerët thonë.

"Ti e di që unë të dua shumë. E vetmja arsye që të kam sjellë këtu është që mos mendo çfarë thonë njerëzit, mos mendo diferencën e moshës. Dua ta shijosh bashkë me mua këtë dashuri sikur të jetë dita e fundit e jetës sonë. Je e vetmja femër që më bën të ndihem i lumtur. Jam shumë krenar që të kam në krahët e mi", u shpreh Nertili dhe më pas shkoi të përqafonte Dafinën.


