Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar këtë të enjte se çmimi i biletave të transportit publik do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar falë mbështetjes së qeverisë për këtë sektor.
Balluku ka thënë se mbështetja do të vijojë edhe për muajt gusht shtator, tetor.
“Ashtu siç jeni në dijen ne me aktin 225 kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha kompanitë e transportit publik, e cila ka qenë në fuqi deri në muajin gusht. Gjatë kësaj peridhe janë tërhequr 60 përqind e fondit, kjo dhe për shkak të procedurave dhe kushteve që duhen plotësuar. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vijojë në muajin gusht shtator dhe tetor. Kjo është një paketë që qeveria e ka projektuar dhe e mban në fuqi edhe për tre muajt e ardhshëm dhe nuk do të ketë impakt shtesë në buxhet pasi është parashikuar që në fillimin e vitit në paketën anti-krizë”, është shprehur ajo.
