Mbrëmjen e djeshme është mbajtur finalja e madhe e Festivalit të 56-të të këngës në RTSH. Pas performancës së 22 këngëtarëve të cilët u kualifikuan për në finale, u shpall edhe fituesi i cili ishte Eugent Bushpepa, me këngën ‘Mall’.

“Fillimisht do doja të falënderoja Radio Televizionin Shqiptar dhe jurinë shumë të respektuar, e cila më dha mundësinë që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision”, tha Bushpepa.

Eugenti me këngën ‘Mall’ do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion që këtë vit do të realizohet në Lisbonë të Portugalisë, në datat 8, 10 dhe 12 maj.

Ndërsa në vendin e dytë u rëndit Redon Makashi me këngën ‘Ekziston’ ndërsa në të tretin Inis Neziri me këngën ‘Piedestal’.



