Nga Shqipëria / E Shtunë 23 Dhjetor 2017, 13:01

Vdekja e Florenc Beqiraj në Francë, ambasada: Do të gjejmë fajtorët e këtij krimi

Një nga ngjarjet më të rënda dhe më të diskutuara të kësaj jave ka qenë edhe historia e të riut shqiptar Florenc Beqiraj  i cili u masakrua për vdekje në një nga burgjet e Francës dhe u mbajt në jetë vetëm nëpërmjet aparaturave. Reagimet kanë qenë të shumta nga ana e qytetarëve dhe  figurave të njohura në Shqipëri,  të cilët kërkojnë me ngulm zbardhjen e këtij krimi si dhe mbështesin familjen e të riut në këtë periudhë të vështirë.

Por ditën e djeshme të gjithë janë përballur me lajmin e keq që Florenci ndërroi jetë në spital pas gjendjes së tij kritike.

Menjëherë pas kësaj ngjarje ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Shqiptare në Francë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për familjen e të riut dhe kanë treguar se ata do bëjnë çmos që kjo ngjarje të zbardhet dhe të gjenden fajtorët e këtij krimi monstruozë që i mori jetën  23 vjeçarit.

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit" shkruhet në njoftim.

Njoftimi i ambasadës

Duke u nisur edhe nga interesimi i veçantë mbi rastin e shtetasit Florenc Beqiraj, i cili ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike në spitalin Nord të Marsejës (Francë), Ambasada e Shqipërisë në Francë njofton me hidhërim të thellë se, sot pasdreke, ai është deklaruar i vdekur nga autoritetet spitalore franceze. Për këtë gjë, janë njoftuar familjarët e të ndjerit, përfaqësuesit ligjorë të familjes, dhe Ambasada.

Ambasada e Shqipërisë, e cila që prej njoftimit të ditës së parë e ka ndjekur nga afër rastin e të ndjerit Beqiraj, në kontakt me autoritetet policore dhe gjyqësore-hetimore dhe me ato mjekësore-spitalore të qytetit të Marsejës, si edhe me të afërmit e tij, i shpreh familjes dhe të afërmve të të ndjerit për këtë humbje të të dashurit të tyre, ngushëllimet e saj të sinqerta, si edhe ato të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Duke vazhduar ta ndjekë nga afër çështjen si me autoritetet policore dhe gjyqësore franceze, në pritje të përfundimit të hetimit zyrtar lidhur me rrethanat e vdekjes së të ndjerit Florenc Beqiraj, ashtu edhe me përfaqësuesit ligjorë të familjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit. Ajo risjell gjithashtu në vëmendje se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë është prioritet kryesor i veprimtarisë së qeverisë, e më posaçërisht i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i përfaqësive të saj në botë.