Me datë 14 Gusht te sheshi “Nënë Tereza” do të organizohet “Alpha Show”, koncerti më i madh që është organizuar ndonjëherë në Shqipëri për muzikën HIP-HOP & RAP. Koncerti është ideuar dhe iniciuar nga Noizy, i cili pas 16 vitesh të suksesshme në karrierën e tij muzikore, do të realizojë këtë projekt gjigant.

Reperi pretendon ta kthejë në festival, si traditë të përvitshme të Tiranës e Shqipërisë. Koncerti do të bëjë bashkë artistët më të mirë të kësaj rryme, trojeve shqiptare e të Europës si: Loredana, Ylli Limani, Dhurata Dora, Kida, Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, MC Kresha, Gue, Ghali, Sfera Basta, Krept & Konan, Raf Camora etj.
Noizy ka mbajtur së fundmi një pre-party të “Alpha Show” me miqtë e bashkëpunëtorët e tij, ku ka treguar detaje nga koncerti.

“Do të jetë një koncert me përmasa e standarte ndërkombëtare, që po ndodh për herë të parë në Shqipëri e në një skenë gjigande rretj 450 metra katrorë. Vendosa ta organizoj si dedikim e shenjë falenderimi për të gjithë adhuruesit e muzikës sime “old school”-sat” dhe “new school”-sat, që e meritojne këtë eksperiencë të jashtëzakonshme. E kam pasur si dëshirë të kahershme këtë koncert, që në fillimet e mia por atëherë nuk kisha as mundësi ekonomike, as kohë e as ekipin e duhur. Tani kam mundur t’i bëj bashkë të gjithë këta faktorët dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt. Vendosa ta quaj “Alpha” këtë koncert për të simbolizuar njerëzit, artistët që arrijnë të bëhen lider e jo boss-a, që nuk presin por e kërkojnë dhe e krijojnë vetë, me shumë mund e sakrificë rrugën e suksesit të tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë, në 16 vitet e karrierës sime muzikore. Nuk do të jem vetëm në këtë koncert të madh por me ajkën e ansamblit të madh të artistëve që bëjnë HIP – HOP e rrap, e sigurisht me një pjesë të mirë të atyre që kam bashkëpunime", është shprehur reperi, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe mbarëvajtjes së këtij koncerti ku pjesmarrja pritet të jetë jashtëzakonsisht e madhe.
Hyrja e njerëzve që do të nisë që në orën 18.00 në mënyrë që gjithçka të jetë gati për nisjen e koncertit në orën 20.00. “Alpha Show” do të startojë këtë vit me qëllimin për t’u shndërruar në festivalin e përvitshëm të muzikës hip- hop në Shqipëri.
Ndërkohë në pre-party kanë qenë të ftuar personazhe publike si Loredana, Ardian Bujupi, Alketa Vejsiu, Roza Lati e shumë të tjerë.








