Nga Shqipëria / E Mërkurë 20 Korrik 2022, 11:11

Noizy pendohet për sherrin me Ledion Liçon: Nuk e kontrollova dot veten

Për herë të parë pas gjashtë vitesh, Noizy ishte sot në ambientet e Top Albania Radio, për të dhënë një intervistë ekskluzive në “Wake Up”. Gjatë intervistës reperi u ndal tek komentet e bëra ndaj Ledion Liços në vitin 2016, pasi u largua papritur nga Top Awards.

Ai tha se pajtimi me Ledion Liçon duhet të kishte ndodhur më shpejt dhe pranoi se asokohe nuk e kontrolloi dot veten. 

“Të gjithë e dinë që Top Channel është nëna e shumë artistëve, skena e parë që kam shkelur ka qenë në Top Fest. Nuk do të merrem kush e ka fajin më, dua të hapim një epokë të re. Mund të kishte ndodhur dhe më shpejt ky pajtim, po angazhimi i tepërt nuk më ka dhënë kohë as të reflektoj, udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit. Mund të jem tre ditë në Shqipëri dhe më pas jam me koncerte jashtë shtetit. Nuk kam pasur mundësi të flas me Ledionin, e kam menduar, nuk kam qenë asnjëherë kundër të pajtoheshim. Mund të ishte më ndryshe, por në nerva e sipër nuk e kontrollova dot veten”, tha Noizy.