Prej disa javësh në Sri Lanka ka pasur protesta për dorëheqjen e presidentit Gotabaya Rajapaksa, të cilin shumë qytetarë, edhe si ish-mbështetës të tij, e akuzojnë për keqmenaxhim. Sot presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa u largua nga rezidenca e tij zyrtare në Colombo disa minuta përpara se mijëra protestues të mësynin brenda.
Duke mbajtur flamuj të Sri Lankës dhe të veshur me helmeta, protestuesit sulmuan rezidencën e presidentit Gotabaya Rajapaksa, i cili tani është zhvendosur në një vend të sigurt, ku mbrohet nga ushtria.
Policia nuk ishte në gjendje të ndalonte turmën, e cila rrethoi pallatin presidencial.
Sri Lanka po vuan nga kriza më e keqe ekonomike në historinë e saj. Vendi është përballur me një mungesë të madhe valutore, e cila nuk e lejon të importojë sasi të mjaftueshme ushqimore, karburante, ilaçe dhe mallra të tjera të nevojshme.
