Nga Shqipëria / E Mërkurë 29 Qershor 2022, 21:09

E hidhur/ Ndahet nga jeta një nga balerinat e para shqiptare

Një ndër balerinat e para të Kosovës, Esma Mulla, është ndarë nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të një postimi në rrjete sociale.

Ajo ka qenë pjesë e baletit në Kosovë që prej themelimit të tij dhe ka lënë pas një veprimtari të gjatë artistike.

Njoftimi i MKRS-së:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.

Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“.

Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi.

Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik!