Në datën 29 tetor u tronditëm me lajmin se gazetarja dhe ish banorja e ‘Big Brother’ Adela Xhemani u nda nga jeta në një moshë shumë të re. Ajo u gjend e vdekur në shtëpinë e saj dhe si shkak për këtë vdekje të papritur u përfol se ishte epilepsia, nga e cila Adela kishte disa kohë që vuante.

Por ditën e sotme është bërë i ditur shkaku i vërtetë nga një raport përfundimtar nga mjekët ligjorë, i cili u publikua nga ‘Panorama’.

Në këtë raport bëhet e ditur se shkaku i vërtetë i vdekjes së gazetares ishte infarkti kongjestiv në zemër. Kjo ka ardhur si pasojë e një sëmundje të quajtur kardiomiopati, që prek muskulin e zemrës duke dëmtuar strukturën apo funksionin e barkusheve dhe sjellë dobësimin e zemrës. Mjekët janë shprehur se kjo gjë ka sjellë që zemra e 31-vjeçares mos të funksionojë siç duhet dhe ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në këtë rast mjekët janë shprehur se duke qenë se Adela nuk e ka trajtuar këtë sëmundje, ka sjellë që muskuli i saj i zemrës të dështojë plotësisht në funksionimin e tij. Ata gjithashtu mendojnë se kjo sëmundje mund të jetë gjenetike dhe e trashëguar nga ndonjë familjar.

Por duke qenë se ajo nuk e ka trajtuar këtë sëmundje, mjekët janë shprehur se kardiomiopatia në këtë rast mund të ketë qenë edhe idiopatike, domethënë që shkaqet e fillimit të sëmundjes kanë qenë të pamundura për tu përcaktuar.

RAPORTI
Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se ishin marrë për analizë pjesë të disa organeve jetësore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë. Pas daljes së rezultateve të këtyre analizave është hartuar edhe raporti përfundimtar, që konfirmoi dyshimet paraprake të mjekëve ligjorë.
Pra vdekja e 31-vjeçares kishte ardhur nga kardiomiopatia, sëmundje për të cilën ajo nuk kishte pasur dijeni. Për rrjedhojë sëmundja ka avancuar, duke sjellë dëmtimin e strukturës dhe funksionin e barkusheve. Zemra për rrjedhojë është dobësuar dhe për shkak edhe të mostrajtimi mjekësor, edhe për arsye se nuk ishte diagnostikuar, ka ndodhur infarkti kongjestiv. Pra sipas mjekëve ligjorë, ka ndodhur dështimi i plotë i muskulit të zemrës.
Gazetarja 31-vjeçare Adelajda Xhamani ndërroi jetë papritur në orët e para të mëngjesit të datës 29 tetor të këtij viti. Ajo ndodhej e vetme në apartamentin ku jetonte me qira, në rrugën “Muhamet Deliu”, kur ka nisur të ketë shqetësime.
Në orët e para të mëngjesit ajo i ka telefonuar shoqes së saj, duke i kërkuar që të lajmëronte një ambulancë, pasi nuk po mbushej dot me frymë. “Nuk po mbushem dot me frymë”, mësohet t’i ketë thënë shoqes së saj. Pas kësaj telefonate, shoqja e Adelës ka lajmëruar menjëherë ambulancën, familjarët e saj, por edhe disa miq të përbashkët.
Ambulanca ka mbërritur shumë shpejt në adresën e dhënë, por duke qenë se nuk dihej me saktësi apartamenti i Adelës, mjekët kanë pritur derisa miqtë e saj kanë mbërritur aty me një taksi. Të gjithë janë ngjitur bashkë në katin e katërt. Dera është gjetur gjysmë e hapur, pasi në momentin që po fliste në telefon me shoqen e saj, Adela nga frika se gjendja e saj mund të përkeqësohej, i ka thënë se do ta hapte derën. Ndërsa në momentin që janë futur brenda, ajo është gjetur e shtrirë në korridor.
Mjekët nuk kanë konstatuar shenja jete, megjithatë e kanë marrë me ambulancë e janë nisur drejt QSUT-së. Si orë e vdekjes është shënuar 05:10, kohë që përkon me momentin kur mjekët janë futur në apartamentin e saj dhe e kanë konstatuar pa shenja jete.
Burimi: Panorama



