Sunny Hill Festival do organizohet në Tiranë këtë vit dhe jo në Prishtinë. Prej vitesh i organizuar në kryeqytetin e Kosovës, festivali u bë i ditur se u anulua për shkak të vonesave në dhënien e pronës për shfrytëzim në Bërnicë. Në këtë situatë, Tirana do të jetë mikëpritsja e këtij eventi të rëndësishëm.
Në një intervistë së fundmi për T7, Shapat Begolli, anëtar i ekipit administrativ të festivalit ka bërë me dije edhe lokacionin ekzakt, ku do të vendoset skena e madhe e “Sunny Hill”.
Ai tregoi se festivali do të zhvillohet në parkun pranë liqenit artificial. Organizatori Begolli ndër të tjera tregoi se ai është vendi i përshtatshëm dhe bashkia e Tiranës është zotuar që të marrë masat që festivali të mbahet aty.
“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.
