Ish-princesha e Katarit, Kasia Gallanio është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Marbella. Mediat e huaja raportojnë se Gallanio, gruaja e tretë e miliarderit Abdelaziz bin Khalifa Al Thani, ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare, mes betejës ligjore me ish-bashkëshortin e saj, të cilin e ka akuzuar për ngacmim seksual ndaj një prej vajzave të tyre.

Gallanio u gjet e vdekur të dielën në mëngjes në Spanjë, ndërsa dyshohet se shkak është bërë mbidoza.

Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë ajo pretendoi se ish-bashkëshorti i saj ka abuzuar seksualisht me një nga tre vajzat e tyre, megjithëse ai i ka mohuar akuzat. Ish-çifti janë prindër të dy binjakëve 17-vjeçarë, të cilët fillimisht jetuan me Al Thani përpara se të vendosnin të jetonin me nënën e tyre në Marbella. Ata kanë gjithashtu një vajzë tjetër, e cila është 15 vjeçe dhe jeton në një apartament luksoz në Paris.

Gallanio, me origjinë polake, u rrit në Los Anxhelos dhe u takua me Abdelazizin kur ajo ishte 19 vjeç. Çifti u martuan në 2004.




