Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka bërë një reagim pas vdekjes së 18-vjeçares Sidorela Kola pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Sidorela humbi jetën së bashku me nënën e saj dhe motrën 15 vjeçe. Lajmi ka tronditur opinionin publik, sidomos qytetarët e Fushë Arrëzit që një pjesë e tyre i njihnin viktimat.
Në një postim në faqen zyrtare të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku Sidorela ishte studente, shkruhet se ajo ishte një studente e shkëlqyer. Ndarja e të resë nga jeta ka tronditur shokët, pedagogët dhe komunitetin universitar.
Universiteti “Aleksandër Moisiu në Facebook:
“Me hidhërim të thellë morëm vesh lajmin e ndarjes nga jeta të studentes sonë të shkëlqyer Sidorela Kola, motrës dhe nënës së saj. Kjo tragjedi e madhe ka tronditur shokët, pedagogët, mbarë komunitetin tonë universitar. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kola dhe miqtë.
Falenderoj Fakultetin e Biznesit për homazhet që po zhvillojnë për Sidorelën dhe iu bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen nismës së tyre për mbledhjen e kontributeve për familjen Kola.
Mendjet e lutjet tona janë me ta!
Prof. Dr. Kseanela Sotirofski Rektor”

