Nga Shqipëria / E Diel 29 Maj 2022, 15:03

Kthesa drastike e motit, nisin rrebeshet e shiut në të gjithë vendin

Moti bën kthesën drastike. Temperaturat e larta të ditëve të fundit, ia kanë lënë vendin reshjeve të shiut këtë të diel.

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin. Moti i keq ka shkaktuar probleme me qarkullimin në disa akse të vendit.

Një pemë e rrëzuar nga era e fortë bllokoi këtë mëngjes përkohësisht aksin nacional Korçë-Pogradec. Sakaq, tre fshatra në Korçë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të motit të keq.

Edhe në Elbasan, era ka rrëzuar pemë, ndërsa rrugët e qytetit janë mbuluar nga uji. Reshje të dendura shiu raportohen edhe në zonën e Krujës, Fushë-Krujës dhe Kurbinit. Nënkalimi në Fushë-Mamurras është bllokuar për qarkullimin e mjeteve të vogla për shkak të prurjeve të shumta të ujit.

Sipas sinoptikanëve kjo situatë do të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes kur pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke rikthyer sërish motin e kthjellët. 

Burimi: Abc News