Nga Shqipëria / E Shtunë 28 Maj 2022, 15:03

Ndërron jetë ish-Presidenti Bujar Nishani

Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare ish-Presidenti Bujar Nishani. Nishani prej kohësh ishte shtruar në një spital në Gjermani pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Pas ndarjes së tij nga jeta, personazhe të njohur nga fusha e politikës e jo vetëm kanë shprehur ngushëllimet për ish-presidentin.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Mandatin presidencial e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit.