Nga Shqipëria / E Enjte 26 Maj 2022, 17:05

Merret vendimi/ Ulet mesatarja për degët e mësuesisë

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar se do të ulet mesatarja për degët e mësuesisë dhe do të bëhet 6.5, për shkak se në këto programe mund të hyjnë dhe studentë që duan një profesion tjetër.

"Të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë minimumin e mesatares 7,5. Shqetësimet nga universitetet lidhen se jo të gjithë maturantët që regjistrohen duan të bëhen mësues. Në këto programe mund të hyjnë edhe maturantët që duan të vijojnë profesion tjetër. Jo të gjithë ata që vijojnë për gjuhë të huaj duan të bëhen mësues. Mund të ketë nga ata që duan të bëjnë përkthyes apo profesion tjetër. E njëjta gjë është edhe për ata që studiojnë për Gjuhë-Letërsi. Ne i japim mundësinë edhe maturantëve që mbarojnë studimet me 6.5, por do të kenë një numër standard në numrin e matrikulimit. Është një ndryshim që e kemi dakordësuar dhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm, numri i regjistrimeve të jetë më i lartë", ka deklaruar Kushi.