Cubi Metkajn e shohim çdo të shtunë në “Klanifornia”, por një pasion i saj përpos spektaklit është edhe teatri. E ftuar në “ABC-ja e mëngjesit” ajo foli mbi projektin e saj të ri ku është bërë pjesë. Bëhet fjalë për komendinë më të re që u dha në Skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kukulla”.

Metkaj në këtë realizim teatral mban rolin kryesor, atë të kukullës. Për të realizuar këtë rol aktorja u shpreh se i ishin dashur disa muaj palestër për tu “dobësuar” për t’iu përshtatur personazhit.

“Kam 6 muaj që bëj palestër për këtë rol. Pas katër vitesh rikthim në teatër, shfaqja e fundit ka qenë në Teatrin Kombëtar. Kisha shumë emocione, një ndjesi të çuditshme, më dukej sikur dilja për herë të parë në skenë. E kisha harruar pak impaktin me publikun“, u shpreh aktorja.

Ajo u ngacmua nga moderatori nëse do ta linte “Klanifornia-n” për teatrin. Aktorja u shpreh e prerë dhe nuk hezitoi të jepte një përgjigje, duke treguar se nëse i ofrojnë një vend në teatër, ishte e gatshme ta linte spektaklin.

“Pse jo, nuk i dihet asnjëherë,” tha Cubi.



