Ajo është një aktore mjaft e talentuar e teatrit shqiptar, por për publikun e gjerë u bë e njohur nëpërmjet rolit të saj si gruaja e Visit tek emisioni ‘M’fal për shprehjen’ nga Elvis Pupa, ku aktorja sillte moment të ndryshme nga jeta e një çifti.

Së fundmi Egla ka dhënë një intervistë për supeshendeti.com ku dhe ka rrëfyer diçka më shumë për veten e saj, ajo aty ka treguar dhe një histori të dhimbshme të fëmijërisë e cila u bë dhe shkak që të ndiqte rrugën e aktrimit.

Siç ka treguar dhe vetë aktorja në fëmijërinë e saj familja ka mbetur pa shtëpi dhe ata janë detyruar që të strehohen në teatër, në një dhomë grimi, dhe që në atë moment teatri u kthye në shtëpinë e saj.

“Teatri për mua është shtëpi, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk është metaforë dhe nuk ka të bëjë me sentimentalizma. Kur isha në kopsht, rrethanat e jetës e sollën që prindërit e mi të strehoheshin në Teatër. Im atë ishte kineoperator. Kemi fjetur në një dhomë grimi për disa muaj (gati një vit ndoshta). Për të shkuar në kopsht kaloja nga skena. Për t’u kthyer në shtrat, kaloja nga salla, skena, pas-kuintat… Debutimi im ka qenë në po atë skenë ku flija, kur isha 7-8 vjeç, si prezantuese e festivaleve për fëmijë, që bëheshin nga qendrat kulturore në atë kohë. Kur shihja publikun e ulur përballë, më dukej sikur shumë njerëz kishin ardhur për vizitë në shtëpinë time. Në çdo Teatër, që punoj si aktore apo ulem si publik, gjëja e parë instiktive që bëj është t’i marr erë, për të ndier erën e shtëpisë. Kjo është lidhja ime me Teatrin.” ka rrëfyer aktorja duke treguar në këtë mënyrë dhe arsyen se përse ajo gjithmonë preferon të përformojë në teatër se sa në televizion.
Burimi: Supershendeti.com
