Nga Shqipëria / E Mërkurë 6 Dhjetor 2017, 19:07

Zyrtarisht sezon festash/ Erion Veliaj ndez dritat e pemës së festave në sheshin “Skënderbej”

Siç është bërë zakon në të gjithë vendet e botë momenti që simbolizon zyrtarisht hyrjen e festave është ndezja e dritave të pemës së krishtlindjeve, një traditë kjo që ka filluar të bëhet edhe vitet e fundit në Shqipëri.

Para pak minutash ka qenë vet Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ai që ka hapur fshatin e krishtlindjeve i cili këtë vit nuk do të ndodhet më në sheshin ‘Nënë Tereza’ por tek ‘Sheshi Skënderbej’. Nën shoqërinë e mjera qytetarëve dhe të tingujve të muzikës së përzgjedhur të bandës frymore të qytetit si dhe korit të Liceut Artistik, “Jordan Misja”, Velij ndezi dritat e pemës.

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se festat janë një moment fantastik për qytetin, ndërsa bëri të ditur se përgjatë gjithë këtij muaj do të ketë një sërë aktivitetesh në ndihmë të njerëzve që kanë nevojë.

“Festat janë një moment fantastik për qytetin, një moment që kujtojmë që janë kënaqësitë e vogla që janë dritat, që është dashuria për familjen, që janë fëmijët që kanë mbushur qytetin tonë, që janë hapësirat ku takojmë njëri-tjetrin dhe shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Në të gjithë botën ka gjëra që nuk janë perfekt, por gjatë kohës së festave është momenti ku secili prej nesh kërkon veten e vet më të mirë, njeriun më bujar që ka brenda vetes, njeriun më të dashur dhe unë besoj që ky është një moment fantastik ku të gjithë ne të kërkojmë më të mirin që kemi brenda vetes dhe të japim dashuri në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që përgjatë këtij muaji solidariteti, t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë nevojë për mbështetje.

Burimi: Ora News.