Ronela Hajati është shfaqur sot në një konferencë për shtyp në Turin ku rrëmbeu vëmendjen me veshjen e saj. Ronela kishte veshur një fustan të bardhë të gjerë që i mbulonte gjithë trupin përveç duarve. Në pjesën e supeve fustani ishte voluminoz teksa Ronela mbante dorashka të bardha të shkurtra.

Në kokë mbante një aksesor ekstravagant. Veshjen e saj ajo e shoqëroi me shumë varse, vathë e byzylykë.

Veshja duket se ka qenë një kundërpërgjigje ndaj Eurovision që fshiu fotot e saj nga Instagram duke e konsideruar si provokuese.

E pyetur rreth veshjes nga gazetarët, Ronela tha: “Përpiqem të jem sa më familjare kështu që i mbulova të gjitha pjesët e trupit. Nuk vendosa maskë sepse duhet të flasë por po përpiqem të mbuloj çdo gjë. Ky detaj i kokës është shumë i bukur dhe veshja është e lezetshme, kam dhe një shenjë nga buzëkuqi im këtu kështu që mos më filmoni.”



