Një autobus i mbushur me pasagjerë i linjës së Unazës dhe një makinë kanë përfunduar në lumin e Lanës pasi janë përplasur me njëra-tjetrën. 6 persona janë lënduar nga aksidenti i rëndë.
Siç shihet nga pamjet e siguruara nga Abc, autobusi dhe makina kanë rënë të dy në lanë. Rrotat e autobusit shihen sipër makinës së fundosur. Të lënduar nga aksidenti janë 4 persona nga autobusi dhe 2 nga makina “Benz”.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, ku autobusi është përplasur me Benzin, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
