Nga Shqipëria / E Diel 24 Prill 2022, 20:08

Kopshti i ri zoologjik gati në 1 qershor, Veliaj: Do jetë më moderni në Ballkan

Kopshti i ri Zoologjik është thuajse gati dhe do të hapet për të gjithë qytetarët e Tiranes në 1 qershor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me një grup fëmijësh, inspektoi sot punimet që janë në fazën përfundimtare, për të mirëpritur më pas kafshët.

Veliaj siguroi se Kopshti i ri Zoologjik do të jetë më moderni në Ballkan.

“Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të mësuar. Është ndoshta Kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, i rikonceptuar plotesisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët. Ato kafazet e ngushta nuk ekzistojnë më, pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skenat që ne mbajmë mend nga Kopshti Zoologjik që trashëguam”, deklaroi ai.