Nga Shqipëria / E Hënë 4 Dhjetor 2017, 14:02

Lajm i mirë nga Kanadaja, heq vizat për dy shtete ku përfitojnë edhe shqiptarët

Ministria për Shtetësi dhe Migrim e Kanadasë ka dhënë një lajm mjaft të mirë për të gjithë shtetasit rumunë dhe bullgarë, pasi njoftoi se tashmë ka hequr vizat për këto dy shtete.

Në njoftimin e publikuar ata kanë lajmëruar se pas shumë bisedimeve të kryera me delegacionet e nivelit të lartë që nga fillimi i negociatave në vitin 2014, është arritur një rezultat pozitiv i cili çoji në heqjen e vizave.

Sipas kësaj deklarate, Qeveria Kanadeze i kushton një rëndësi të madhe  marrëdhënieve me këto dy shtete dhe BE -në.

“Lehtësimi i vizitave të rumunëve dhe bullgarëve në Kanada, do të inkurajojë më shumë udhëtime dhe tregti, kështu që do të krijojë mundësi të reja tregtare dhe investimesh për kanadezët dhe evropianët” u shpreh ministri për Shtetësi dhe Migrim, Ahmed Hussen.

Në bazë të këtij vendimi tashmë Rumania dhe Bullgaria mund të shkojnë në Kanada pa viza dhe mund të qëndrojnë atje për gjashtë muaj për akomodim, për vizita të familjes dhe qëllime turistike. Nga ky vendim përfitojnë edhe mijëra shqiptarë që janë njohur nga qeveria shqiptare si pakicë bullgare dhe kanë marrë pasaportat e shtetit të Bullgarisë.