Nga Shqipëria / E Premte 15 Prill 2022, 17:05

Mediat gjermane: Rama u shoqërua nga policia se nuk mbajti maskën, reagon qeveria: Çfarë ndodhi

Media gjermane "Der Spiegel", ka publikuar një lajm ku shkruhet se kryeministri shqiptar Edi Rama ka shkaktuar një incident në bordin e avionit të Lufthansa gjatë valës së katërt të koronës. Sipas medias gjermane, ngjarja ka ndodhur në dhjetorin e një viti më parë, ku kreu i qeverisë shqiptare refuzoi me forcë mbajtjen e një maske mbrojtës për koronavirusin.

Qeveria ka reaguar lidhur me shkrimin e bërë sot nga “Der Spigel’. Drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin Endri Fuga, thekson se ky është një incident i vjetër dhe nuk kishte të bënte me vendosjen e maskës por me sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtareve të ekuipazhit.

Sipas Fugës ka pasur edhe një kërkim ndjese nga ana e kompanisë së fluturimit.

“Lajm i vjetër, për një incident qe ne thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtareve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë”, ka shkruar Fuga.