Nga Shqipëria / E Premte 1 Dhjetor 2017, 16:04

Situata në Shqipëri, reagon Presidenti Meta: Faleminderit ushtrisë dhe medias

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar para pak minutash për situatën e krijuar në vend me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook, ku ai ka shprehur mbështetjen e tij për çdo familje që ndodhet në vështirësi, si dhe ka falenderuar median dhe ushtrinë për ndihmën e tyre gjatë këtyre dy ditëve të vështira.

“Të dashur qytetarë, në këtë situatë emergjente të reshjeve, të cilat nuk kanë të ndalur prej ditës së djeshme, jam me çdo familje në vështirësi, duke iu shprehur solidaritet të plotë. Dua t’i ftoj të gjithë të bashkëpunojnë me forcat e ushtrisë, policisë dhe Emergjencave Civile që janë në terren, duke i falënderuar dhe inkurajuar që të vazhdojnë të jenë pranë qytetarëve për të kaluar këtë situatë dhe parandaluar përshkallëzimin e saj.

Falënderoj mediat për informimin, lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe autoritetet”, thuhet në mesazhin e presidentit Ilir Meta.