Nga Shqipëria / E Shtunë 2 Prill 2022, 11:11

Ndryshimi më i ri i Instagramit lidhet me mesazhet dhe nuk e dimë a do t'ju pëlqejë

Instagram po bën disa ndryshime tek mesazhet. Me përditësimin e ri që po përgatit Instagrami do të mund tu përgjigjemi mesazheve pa i hapur ato. 

Mesazhet e reja do të shfaqen në krye të faqjes teksa ju shfletoni postimet e miqve dhe mund të përgjigjeni duke klikuar mbi mesazhin.

Deri këtu në rregull, por nuk e dimë nëse do t'ju pëlqejë dhe përditësimi tjetër pasi së shpejti ata që kanë zgjedhur të shkëmbejnë mesazhe me njëri-tjetrin do të shohin gjithashtu cilët nga miqtë e tyre janë aktualisht në linjë. Kështu nuk mund të bëni sikur nuk jeni në linjë kur nuk doni t'i përgjigjeni një mesazhi.

Këto përditësime nuk do të jenë të disponueshme kudo menjëherë. Kompania thotë se veçoritë e reja "janë të disponueshme në disa vende të zgjedhura dhe është në plane për t'u zgjeruar globalisht".