Nga Shqipëria / E Enjte 31 Mars 2022, 10:10

Diagnostikohet me sëmundjen e rëndë aktori legjendar Bruce Willis

Aktori i njohur amerikan, Bruce Willis, 67 vjeç po tërhiqet nga aktrimi pas diagnostikimit me sëmundje serioze mendore.

“Për mbështetësit e mrekullueshëm të Bruce, si familje ne donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi u diagnostikua me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse”, ka njoftuar familja e tij. 

Afazia është një sëmundje që ndodh pas një goditjeje cerebrale, ishemie në tru apo traume në kokë, dhe shuan aftësinë e njeriut për të komunikuar. Specialistët thonë se afazia dëmton aftësitë e subjektit për të folur, shkruar dhe kuptuar gjuhën, si atë verbale dhe të shkruar.

“Ne po e kalojmë këtë të bashkuar si familje dhe donim që edhe ta dinin edhe fansat, aq të rëndësishëm për të”, thuhej më tej në njoftim.

Postimi ishte nënshkruar nga bashkëshortja aktuale e Willis, Emma Heming Willis, si dhe ish-bashkëshortja Demi Moore, dhe fëmijët që ka me të.