Nga Shqipëria / E Hënë 28 Mars 2022, 15:03

Shuplaka që bëri xhiron e botës, ç'fshihet pas incidentit në Oscars

Bëri xhiron e botës momenti kur Will Smith i dha një shuplakë komedianit, Chris Rock teksa ndodhej në skenën e Oscars. BBC i ka kushtuar një artikull ngjarjes që tronditi evenimentin.

“Pas shumë vitesh rënie të shikueshmërisë, Akademia ishte e dëshpëruar për të bërë që shumë njerëz të shikonin “Oscars 2022″. Akademia donte vëmendje. Tani e ka marrë”, shkruan në artikull BBC.

Ishin inatet e vjetra që çuan në shuplakën e famshme sepse nuk ishte hera e parë që Rock bënte shaka me gruan e Smith.

 

Në vitin 2016, Rock ironizoi yjet që kishin njoftuar se do të bojkotonin Oscars, si pasojë e mungesës së të nominuarve me ngjyrë. Pinkett Smith ishte një prej tyre. 

Ndërsa mbrëmë Rock përmendi se flokët e Jadas janë të denja për “G.I Jane 2” duke iu referuar filmit ku aktorja Demi Moore rruan kokën. Pinkett Smith ka folur hapur për luftën e saj me alopecinë, një çrregullim autoimun që çon në rënien e flokëve.

Shumë personazhe të famshëm thanë se ishte një shaka, të tjerë thanë se Smith kishte të drejtë të mbronte gruan e tij. Pasi fitoi çmimin për aktorin më të mirë, Smith doli në skenë dhe kërkoi falje.