Nga Shqipëria / E Mërkurë 23 Mars 2022, 21:09

Ndërron jetë mikja e madhe e shqiptarëve, ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright

Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Rama shpreh trishtimin për ndarjen nga jeta të Madeleine Albright, e cila ka dhënë kontributin e saj në rrugën e lirisë së Kosovës.

"Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruaja që mbikqyri rrugën e lirisë së Kosovës. Respekt", shkruan Rama.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.