Nga Shqipëria / E Mërkurë 23 Mars 2022, 17:05

Goditet nga rrufeja avioni privat i Miley Cyrus

Këngëtarja me famë botërore, Miley Cyrus është përballur me një situatë të frikshme teksa po udhëtonte për në Paraguaj. Avioni i saj privat u godit nga rrufeja dhe piloti u detyrua të bënte ulje emergjente.

Këngëtarja reagoi përmes një postimi në Twitter duke bërë me dije se është mirë.

“Për fansat e mi dhe të gjithë ata që u shqetësuan pasi dëgjuan për fluturimin tim në Asuncion, avioni ynë u godit nga një stuhi e madhe e papritur dhe nga një rrufe. Ekuipazhi im, grupi, miqtë dhe familja ime që udhëtonin me mua janë të sigurt pas një ulje emergjente. Fatkeqësisht nuk mundëm të fluturonim në Paraguaj. Ju dua”, shkroi 29-vjeçarja duke publikuar një imazh të asaj që duket të jetë një pjesë e dëmtuar e krahut të avionit.