Nga Shqipëria / E Martë 22 Mars 2022, 13:01

1 ditë në muaj pa makina, Rama: Do fuqizojmë transportin publik dhe do nxisim biçikletat

Dita e sotme është vendosur të jetë pa makina dhe qytetarët kanë lëvizur në këmbë, duke shijuar ardhjen e pranverës. Kryeministri Rama ka ndarë në rrjete sociale disa foto, ku vihen re qytetarë të shumtë, të cilët kanë dalë me biçikleta, që nga fëmijët, prindërit deri te të moshuarit.

Rama thekson se fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave do të jenë pjesë e punës së përbashkët me pushtetin vendor.

“DITA PA MAKINA duhet të bëhet hap pas hapi pjesë e pandashme e kalendarit tonë mujor, ashtu sikundër fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave në qytet, do të jenë pjesë e pandashme e punës së përbashkët me pushtetin vendor, për më shumë cilësi jete në hapësirat publike të komuniteteve tona”, ka shkruar kryeministri.