Kryedemokrati Lulzim Basha është dorëhequr nga drejtimi i partisë duke theksuar se kështu i hap rrugën ribashkimit të partisë. Basha tha se ishte momenti për të bërë një hap pas në mënyrë që partia të ribashkohej.
“Personalisht investova gjithcka për nje zgjidhje që do ti shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Sot nuk dua të ndalem në cfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, këtë jam i bindur se do ta qartësojë koha.
Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.
Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët”, tha Basha.
