Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku ka njoftuar se bashkë me ARRSH do të nisin ndërprerjen e ndriçimit në akset kombëtare për të kursyer energji. Po ashtu, ajo ka shtuar se u kanë kërkuar bashkive që pas orës 00:00 të ndërpresin ndriçimin e panevojshëm në institucionet e qytetit.
“Prej kohësh nuk kemi reshje shiu dhe kaskada ndodhet në një moment të vështirë. Duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë, ndërsa kërkesa është 17640 megavat orë. Një shifër shumë e lartë për sezonin krahasuar me vitet e shkuara. Duke pasur parasysh konsumin e lartë. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash konsumi duke nisur nga insitucionet publike.
I kemi kërkuar ARRSH që të nis menjëherë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hani i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cënojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë.
I kemi kërkuar institucioneve lokale kudo që ndodhen ato për të kufizuar të gjithë energjinë që konsumohen për ndriçimin, ato që nuk janë të domosdoshme. Duke nisur nga ora 12 e mesnatës do tu kërkohen të gjithë bashkive që të fikin ndriçimin që kanë për ndërtesa që nuk paraqesin domosdoshmëri", ka thënë Balluku.
Burimi "Abc News"
