Nga Shqipëria / E Mërkurë 16 Mars 2022, 10:10

Dy vite në frontin e parë të luftës kundër Covid-19, Kalo tregon se si e parandaloi infektimin

Mjeku Tritan Kalo ishte së fundmi i ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”. Ndonëse ka qëndruar prej dy vitesh në frontin e parë të luftës kundër Koronavirusit, ai ka arritur të mbrohet nga virusi.

Gjatë intervistës, Kalo tregoi si e ka parandaluar infektimin me Covid-19. Ai tha se ka ndjekur disa udhëzime të Antonio Fauci-t, ekspert i sëmundjeve infektive në SHBA.

Kalo theksoi se ka përdorur hidroksilklorinë ndërsa shtoi: “Kam filluar në dhjetor nga dy tableta në javë por për të përforcuar dhe me një tjetër, me artemisininë. Fauci shpjegonte se përdorimi i këtij medikamenti shërben si parandalim ose si mjekim. Unë për vete e kam përdor si parandalim. Bashkë me kolegët vendosëm që të sëmurët që merrnin hidroksilklorinën të mos e ndërpresin. Patëm vetëm një të vdekur midis 500 të sëmurëve., 18 u shtruan në spital. Të tjerët nuk u prekën. Grupi tjetër ishte në ndjekje në mënyrë progresive e të sëmurëve që e merrnin këtë medikament për tjetër arsye nëse do t’i mbrojë apo jo”.

Burimi: "Abc News"