Nga Shqipëria / E Enjte 10 Mars 2022, 19:07

Rritja e çmimit të naftës, Rama prezanton masën e parë

Në një komunikim live për qytetarët kryeministri Edi Rama ka prezantuar masën e parë të qeverisë për ndalimin e rritjes së çmimit të naftës në Shqipëri. Ai tha se brenda 48 orësh do të ngrihet një bord special, pjesë e të cilit do jenë qeveria dhe furnitorët e naftës. Asnjë çmim në tregun e naftës nuk do të vendoset pa u miratuar nga ky bord.

‘Nafta është produkt dhe qeveria nuk mund të hyjë në çmimet në treg, por ky vend është në luftë pasi lufta ka ardhur me faturën e çmimit të naftës, prandaj ne do ta trajtojmë këtë situatë si në luftë, për të frenuar çdo spekulant për çmimin e naftës. Brenda 48 orësh do të shpalosim planin tonë me një akt ligjor, një bord për naftën, ku furnizimet e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë, dhe ku marzhi i fitimit do të përcaktohet në atë tavolinë dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet nga grumbullimi tek shfrytëzimi. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen pa u miratuar nga bordi superspecial, që do të jetë një tryezë e përbashkët e furnitorëve dhe qeverisë. Sot nuk është dita për të fituar, është dita për të rezistuar’, tha Rama.