E ftuar në “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan ishte Renisa, e cila rrëfeu me lot në sy tre humbje të njëpasnjëshme në jetën e saj, të gjitha vitin e shkuar. Ajo kishte humbur të atin, vjehrrin dhe foshnjën në barkun e saj në muajin e fundit të shtatzënisë.

Renisa: Vitin që kaloi, uroj mos e pastë njeri atë vit. Nuk do ta quaja viti i dhimbjes, por do ta quaja viti i engjëjve, që do të thotë… humba babain. Ishte pika ime më e fortë, ishte mbështetja ime, kam qenë shumë e lidhur me të. Pas kësaj, dy muaj më vonë marr vesh që kam mbetur shtatzënë.
Ardit Gjebrea: Ti ke një djalë? Sa vjeç e ke?
Renisa: Po, 3 vjeç.
Ardit Gjebrea: Ti more vesh që kishe mbetur shtatzënë…
Renisa: Çdo gjë shkoi për mrekulli gjatë shtatzënisë. Në Shtator më ndërron jetë vjehrri dhe kjo ishte e dhimbshme.
Ardit Gjebrea: Pra, në Shkurt babai, në Shtator babai tjetër.
Renisa: Nuk ishte e lehtë, ishte e dhimbshme, të mendosh vetëm nga një atak kardiak.
Renisa: Në fillim të Dhjetorit, isha në ditët e mia, e ndjeva vajzën të lëvizte. Një ditë të diel, qëlloi që ishte koha shumë e keqe, isha përgjumësh. Të nesërmen paraqitem te gjinekologia e lagjes dhe me rekomandimin e saj paraqitem në maternitet. Bëra ekon, doktoresha tha “është çdo gjë mirë”.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti nuk e ndieje vajzën.
Renisa: Jo, nuk e ndieja të lëvizte. Në momentin e bërjes së ekos, ekon e kisha në duar, mund ta kisha lexuar mbi 10 herë, nuk më jepnin një konfirmim ose një përgjigje.
Ardit Gjebrea: Por ekon e kishe në dorë.
Renisa: Ekoja konfirmoi që zemra nuk vizualizohej. Embrioni kishte vdekur në bark. Telefonova bashkëshortin, i thashë “hajde se nuk di ç’të bëj”. Vajzës te materniteti i kërkoja të dëgjoja rrahjet e zemrës së vajzës time. Vajza te materniteti më thotë “prit pak sa të vijë doktori se nuk na lejohet”. Vjen bashkëshorti, bëjmë një eko të fundit dhe aty u konfirmua që të voglës time i kishte pushuar zemra. Ta mbash në bark, ta ushqesh, të përjetosh çdo emocion, të durosh gjithë ato dhimbje dhe në fund mos ta marrësh në krahë… kjo është e papranueshme.



