Nga Shqipëria / E Premte 4 Mars 2022, 21:09

'Shqipëria ka luajtur rol domethënës', Xhaçka: Rusia do të hetohet për krime lufte

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka folur pas takimit të jashtëzakonshëm të NATO-s. Ajo ka treguar se Gjykata Ndërkombëtare Penale do ta hetojë Rusinë për krime lufte.

Xhaçka është shprehur se Shqipëria ka luajtur një rol domethënës sidomos në fushën e diplomacisë dhe ky rol është vlerësuar shumë nga aleatët.

“Sot u konfirmua sërish me forcë vendosmëria e aleatëve për të mbështetur popullin e Ukrainës, në luftën heroike që ka fituar admirimin e gjithë botës.

Shtete perëndimore kanë ndërmarrë masa në mbështetje të popullit të Ukrainës, duke i furnizuar me armatime, sanksione që po i japin goditje të rëndë Rusisë duke i rritur në mënyrë të jashtëzakonshme koston këtij agresioni kriminal, që tashmë me bashkëpunimin e Shqipërisë i është referuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime lufte.

Shqipëria, ka luajtur një rol domethënës edhe me ndihmë materiale konkrete, por sidomos në fushën e diplomacisë, ku pardje u arrit një fitore duke miratuar me shumicë votash një rezolutë të bashkësponsorizuar nga Shqipëria.

Theksova sot në takimin e NATO-s se duhet të ndalet sulmi mbi Ukrainën. Roli i Shqipërisë është vlerësuar maksimalisht nga aleatët”, ka thënë ministrja.