Nga Shqipëria / E Premte 4 Mars 2022, 11:11

Tanket ruse sulmojnë termocentralin më të madh bërthamor në Evropë

Forcat ruse kanë “pushtuar” centralin bërthamor të Zaporizhia në Ukrainën jugore pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë trajnimi në orët e para të mëngjesit.

Pas sulmit nga forcat ruse, zjarri në centralin bërthamor të Zaporizhia u shua në orën 6:20 të mëngjesit me orën lokale, rreth një orë pasi zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje.

Disa nga udhëheqësit botërorë kanë dënuar ashpër sulmin e Rusisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë.

Sipas tyre, Rusia po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi “i pamatur” i Rusisë mund të kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës.

Ndërsa, Presidenti i SHBA Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zones.

 Po ashtu edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se sulmet e tmerrshme nga Rusia duhet të pushojnë menjëherë.