Nga Shqipëria / E Hënë 28 Shkurt 2022, 16:04

Veliaj: Jemi të solidarizuar me Ukrainën, do çojmë ndihma drejt Kievit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e mbajtur në eventin hapës të projektit rajonal “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e bizneseve start-up në Ballkanin Perëndimor” tha se qytetarët shqiptarë po solidarizohen çdo ditë e më shumë me Ukrainën dhe se shumë shpejt kryeqyteti do të nisë ndihma drejt Kievit.

“Ne si qytet jemi përfshirë me këtë frymë solidariteti – besoj i patë sot edhe flamujt në autobusët publikë apo aktivitete të organizuara nga shumë të rinj gjatë gjithë kësaj fundjave, ndaj nesër kemi një takim zyrtar me ambasadën e Ukrainës në Tiranë për t’u siguruar që edhe ne si Bashki mund të ndihmojmë me batanije, veshmbathje apo ushqime, që mund të rezistojnë një kohë të gjatë. Ne do bëjmë pjesën tonë modeste, ndaj do t’i ftoja të gjithë të bënin pjesën e tyre”, tha Veliaj.